Fondet e zhvillimit rajonal Itali-Shqipëri-Mali i Zi – 8 projekte fituese nga Shqipëria. Shfrytëzojmë 1/3 e buxhetit

Ka përfunduar procesi i vlerësimit të projekteve kandidate të thirrjes së parë për propozime, në kuadër të programit ndërrajonal Itali-Shqipëri-Mali i Zi.
Janë 30 milionë euro, të cilët do të ndahen për zbatimin e projekteve të vlerësuara me më shumë pikë nga komiteti i përbashkët i mbikëqyrjes së programit.
Tashmë do të ndjekin negociatat për shkurtimin e buxhetit për secilin projekt fitues. Thirrja ishte e ndarë në 4 drejtime kryesore, secili me një buxhet të veçantë, çka do të thotë se nga fondet e para do të financohen vetëm ato propozime që nuk tejkalojnë buxhetin.
Nga Shqipëria u pranuan në total rreth 29 propozime, por brenda vijës së kuqe të bilancit ndodhen vetëm
Nga dega e parë, “forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe konkurrueshmëria e SME”, propozimi “BRE” i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë mori pikët më të larta. Kjo do të thotë se projekti do të financohet, edhe pse buxheti fillestar prej 1.4 milionë eurosh mund të reduktohet disi.
Në vendin e 5-të në këtë drejtim është renditur edhe projekti “inTERaCt” i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë. Edhe pa rishikimin e buxheteve, ky propozim me vlerë 1.5 milionë euro ndodhet mbi vijën e kuqe, pra do të financohet.
Në thirrjen e dytë, “menaxhimi i zgjuar i trashëgimisë natyrore dhe kulturore për shfrytëzimin e turizmit të qëndrueshëm dhe tërheqjes territoriale”, kemi një tjetër projekt fitues nga vendi ynë. “HAMLET”, propozuar nga Ministria e Kulturës, është renditur në vendin e dytë dhe ka një buxhet provizor prej 1.19 milionë eurosh.
Edhe projekti “Co.Co.Tour” i Agjencisë për Zhvillim Rajonal 4, me vlerë 1.43 milionë euro është brenda limitit, edhe pse në vendin e 10-të. Në rast të një ndryshimi minimal në buxhetet e 10 projekteve të para, do të arrihet financimi edhe për një tjetër propozim shqiptar në vendin e 11-të. Bëhet fjalë për “P.A.S.T. 4 FUTURE” nga ish-MZHETTS, me një buxhet të propozuar prej 1.48 milionë eurosh.
Në degën e tretë, “mbrojtja e mjedisit, menaxhimi i riskut dhe strategji për uljen e karbonit”, do të financohet projekti “BLUE LAND” i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me vlerë 1.41 milionë euro. Po ashtu nga kjo degë shpallet fitues edhe projekti “REEHUB”, nga ish Ministria e Energjisë dhe Industrisë, me vlerë 980 mijë euro.
Sa i takon degës së fundit, “Rritja e aksesibilitetit ndërkufitar, promovimi i shërbimit të qëndrueshëm të transportit dhe përmirësimi i infrastrukturës publike”, financohet projekti “SAGOV” i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim me vlerë 800 mijë euro.
Në total janë 8 projekte fituese nga Shqipëria me një vlerë totale prej 10.2 milionë eurosh, nga 30 milionë euro të disponueshme. Megjithatë, duhet theksuar se shumë projekte të tjera i kushtohen përfitimit të dy apo tre vendeve.
Faza tjetër, ajo e rishikimit të buxheteve, planifikohet të mbyllet në Shkurt 2018.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.