(FOTO) Ndryshon parku “7 Xhuxhat” – Kthehet në kënd lojërash publik me parkim nëntokësor

Parku i lojërave në fillim të Rrugës së Elbasanit do të rikonceptohet në një kënd modern për fëmijët, pa pagesë.
Këndi rekreativ do të jetë i ndarë në disa module, ku do të jenë të shpërndara lojëra dhe hapësira të ndryshme si: loja e shahut, ndërtim infopoint, shatërvan, lojëra për fëmijë, sheshi i pasqyrave, vazeta e gjelbëruar, vazeta e pemës etj.
Krahas funksionit rekreativ, projekti parashikon edhe shtimin e një parkimi nëntokësor me dy kate nëntokë me 148 vende parkimi.
Në katin e parë nëntokësor do të vendosen edhe nyjet higjenosanitare që do t’i shërbejnë parkut të lojërave, në mënyrë të ngjashme me atë ekzistuen nën Sheshin “Skënderbej”.
Bashkia e Tiranës ka hapur të premten tenderin për realizimin e këtij projekti, me një fond limit prej 276 milionë lekësh. Pas shpalljes së operatorit fitues, punimet pritet të zgjasin 2 vjet.
Siç duket edhe nga fotot, projekti është një përmbledhje e disa copëzave të ndryshme, të cilat falë formës modulare do të mund të shkrihen në parkun e lojërave. Ai do të jetë i pajisur edhe me rrëshqitëse, platforma metalike për t’u ulur, një labirint të gjelbër, një lojë të ngjitjes në shkëmbinj, shatërvan, ndërsa krahas bimësisë brenda rrethimit, nga jashtë do të kufizohet nga pemë të larta dhe jo me mure apo kangjella si aktualisht.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.