[Foto] Si do të duket shkolla 9-vjeçare “Konferenca e Pezës” – Çfarë parashikon projekti 57.4 mln lekë
Shkolla 9-vjeçare “Konferenca e Pezës” do të ofrojë së shpejti ambiente më komode për nxënësit. Bashkia e Tiranës ka hapur procedurat e tenderimit për këtë investim, për të cilin është vënë në dispozicion një fond limit prej 57.4 milionë lekësh.
Shkolla, e cila ndodhet në Njësinë Administrative Nr.10 është ndërtuar në vitin 1966, ndërsa është restauruar nga Ministria e Arsimit në vitin 2000.
Nga dokumentet e publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, rezulton se për këtë projekt u propozuan fillimisht dy variante, me vlera të ndryshme investimi, ku më pas u pa e nevojshme të ofrohej një zgjidhje alternative.
Grafiku i punimeve përfshin një sërë ndërhyrjes në godinën 3-katëshe ekzistuese, si vendosjen e dyerve e dritareve të reja, prishjen e shtresave të tarracës ekzistuese, si dhe një pjese të murit rrethues dhe mureve të brendshme.
Ndërkohë, një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe gjelbërimit, i cili do të shërbejë jo vetëm në aspektin dekorativ, por edhe për krijimin e terreneve sportive. Ndërsa, është projektuar po ashtu edhe vendosja e sistemit të ndriçimit si dhe ai i pompave për furnizim me ujë 24 orë.
Kohëzgjatja e punimeve parashikohet të jetë 150 ditë (5 muaj), ndërsa operatorët ekonomikë do të mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri më datë 7 dhjetor të këtij viti.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.