(FOTOT)Si do të transformohet Zall Bastari- Nga ishujt e gjelbërt te struktura e re për panaire! Hapet tenderi
Bashkia e Tiranës ka shpallur tenderin për sistemimin dhe rehabilitimin e Qendrës së Njësisë Administrative Zall Bastar. Fondi limit është 44 milion e 162 mijë lekë. Tenderi është i hapur deri me 21 janar 2019.
Krahas shtrimit të rrugëve e ndriçimit, projekti parashikon një transformim të qendrës. Referuar studimeve të kryera, në qendër propozohet një rrugë me dy kalime si dhe një hapësirë parkimi me kapacitet 4 makina, e cila pozicionohet përpara Qendrës Shëndetësore. Në krah të saj parashikohet të krijohet edhe një xhep parkimi që është i nevojshëm për makinën e Ambulancës. Hapësirat e reja të propozuara në qendër konsistojnë në ishuj gjelbërimi dhe mobilje urbane në funksion të rivitalizimit të zonës dhe sjelljes së një fryme të re.
Duke qene se objektet e banimit janë private është propozuar që muret ekzistues te vishen me pllaka guri e të pajisen me ndriçim. Gjithashtu fasadat e objekteve do të suvatohen dhe do të lyhen që të përshtaten me zonën.
Shtëpia e Kulturës parashikohet të shembet dhe të ndërtohet në gjurmët e saj një strukturë e re metalike me çati druri që do të integrohet me zonën urbane të re që krijohet dhe shërben edhe si një hapësirë ku mund të zhvillohen aktivitete, takime, biseda apo panaire të vogla ku mund të promovohen produkte të zonës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.