Gjirokastra e treguar nga “The Wall Street Journal” – Sekreti i mbajtur më mirë nga të apasionuarit e arkitekturës

E përditshmja më e madhe në Shtetet e Bashkuara, “The Wall Street Journal” ka bërë të njohur për të gjithë lexuesit e saj Gjirokastrën, duke i dedikuar arkitekturës otomane të qytetit një artikull të veçantë.
Shkrimi e quan Gjirokastrën qytetin më intrigues për të cilin nuk keni dëgjuar ndonjëherë dhe rrëfen eksperiencat e autores Cathryn Drake në vizitën e saj në Shqipëri.
“Mund të mos jetë destinacioni më i dukshëm për një arratisje europiane në fund të verës. Por ky qytet kodrinor me 66 mijë banorë është jashtëzakonisht tërheqës e i përballueshëm dhe vetëm dy orë larg nga plazhet e bregdetit shqiptar. Ende nuk jeni të bindur? Një kapsulë kohe e vërtetë, Gjirokastra shërbeu si qendër tregtie për rreth 500 vjet nën Perandorinë Osmane dhe mjedis për një “game of thrones” në jetën reale.
Shto një kështjellë mesjetare, një bunker nëntokësor të epokës komuniste dhe një aeroplan spiun amerikan dhe Gjirokastra mund të jetë qyteza më intriguese për të cilën nuk keni dëgjuar kurrë”.
Artikulli vijon me vizitën e autores në një nga kullat e restauruara të qytetit, duke treguar edhe për projektet e tjera restauruese që vijojnë punimet, si edhe zakonet shqiptare të të përshëndeturit në rrugë.
Udhëtimi disa ditor në Shqipëri përfshin edhe një tur të muzeut të Luftës së Ftohtë, i cili ndodhet në kala. “Muzeu rrethohet nga një bunker labirint të ndërtuar në fshehtësi gjatë viteve ’70 dhe që u zbulua vetëm disa dekada më vonë. Ky rrjet i mykur tunelesh lidh rreth 80 dhoma, ende të emërtuara sipas funksioneve të tyre zyrtare dhe të mbushura me mobilje me metal të ndryshkur. Evolucioni i ndërtesës që qëndron mbi bunker përfshin në vetvete peripecitë e historisë së Ballkanit. Ali Pasha dhe Mbreti Zog, zgjeruan strukturëtn gjatë regjimeve të ture dhe e përdorën si burg, ashtu siç bënë nazitët dhe komunistët, deri në 1963-shin. Tani Muzeu Kombëtar i Armatimeve, ka një koleksion mahnitës të artilierisë së Luftës së Dytë Botërore, përfshi edhe një aeroplan spiun të Forcave Ajrore amerikane, të kapur në vitin 1957”.
Artikulli kujton se ky vend sot është shumë festiv dhe mbrëmjeve gjallëron nga muzika e orkestrave dhe këngëtarëve popullorë.
“Iu bashkova rrethit të kërcimit të bollshëm, i cili shpërtheu spontanisht mes audiencës rinore dhe munda t’ia hedh paq”.
Shkrimi mbyllet me një citim nga udhëtari britanik Patrick Leigh Fermor, i cili shkruante në një pasazh të vitit 1933 se “Gjirokastra ishte pamatshmërisht e vjetër dhe në të njëjtën kohë krejt e re dhe totalisht e panjohur. Gati 100 vjet më pas, ky përshkrim mbetet i vërtetë”.
Për të lexuar artikullin e plotë, kliko këtu.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.