Gjobat për ndotjen e mjedisit – Çuçi: Nuk ka tolerim, 30 deri në 50 mijë lekë për abuzuesit
30 mijë deri në 50 mijë lekë të reja është shuma që duhet të paguajnë ndotësit mjedisor. Në një intervistë për televizionin SCAN zëvendësministrja Ornela Çuçi bënë me dije se në kuadër të operacionit “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” janë vendosur 20 gjoba vetëm në malin e Tomorrit dhe 31 revokime për pikat e skrapit të cilat kanë funksionuar pa leje ose në shkelje të plot të lejes mjedisore.
“E kemi marrë vetëm në rastet e emergjencës së madhe, kur subjektet vetë kanë ndërhyrë në zonë të mbrojtur, kur kanë shkelur koordinatat, kanë shkelur me të dyja këmbët kushtet, lejet mjedisore dhe kanë shkelur deri aty sa ne nuk mund të mos i linim pa i vendosur këto gjoba dhe pa marrje masash të tilla si revokim të lejes mjedisore. Nga ana tjetër, sipas legjislacionit shqiptar, gjobat variojnë nga 300 mijë deri në 500 mijë lejë të vjetra dhe brenda këtyre parametrave ne operojmë në Inspektoratin tonë të Mjedisit.”
Çuçi nënvizoi se synim i ministrisë mbetet goditja e problemit në themel dhe jo e bizneseve. Sipas zv. ministres do të bëhen ndërhyrje edhe në ligj për të mos lënë hapësira për abuzime.
“Nuk kemi pasur asnjë qëllim që të ndërhyjmë me gjoba ose me revokim të lejeve. Ne jemi duke bërë një research të të gjithë legjislacionit që ne kemi, duke parë cilat janë vakumet që krijojnë këtë legjislacion. Kemi parë legjislacionin më të mirë, praktikën legjislative të Bashkimit Europian për secilën nga çështjet që ne kemi prekur dhe nuk janë pak ato. Janë guroret, janë fabrikat e lëkurës, janë fasonet, janë të gjithë ndotësit deri tek thertoret krijojnë ndotje në mjedis dhe kemi filluar, për shembull me guroret jemi duke punuar për të shpallur aktin normativ për kushtet fizike që duhet të ketë çdo gurore dhe do të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës. Do të jetë një bashëkpropozim për akt normativ nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.”
Aksioni “Të pastrojmë Shqipërinë që duam” nisi në nëntor të vitit2017 dhe do të zgjasë 6 muaj. Operacioni është i ndarë në disa faza ku veprojnë 15 grupe pune.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.