Grabitja në Rinas – Reagon Presidenti: Prokuroria të hetojë të gjithë personat që nuk kanë kryer detyrën
Ngjarja e ndodhur një ditë më parë ku u grabit një dërgesë parash është e papranueshme dhe një tregues i një mungese të theksuar përgjegjshmëria. Kështu është shprehur Presidenti i vendit, Ilir Meta në një konferencë për shtyp lidhur me ngjarjen e ndodhur në aeroportin e Rinasit. Kreu i Shtetit u ka bërë apel të gjitha institucioneve ligjzbatuese që të vijojnë operacionet për kapjen e autorëve si dhe gjetjen e vlerës monetare të grabitur. Ndërkohë, ka shtuar se Prokuroria duhet të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme, por edhe mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtar.
“U kërkoj të gjitha agjencive ligjzbatuese të vazhdojnë me vendosmëri operacionet për identifikimin e plotë dhe kapjen e autorëve përgjegjës si edhe për gjetjen e vlerës monetare të grabitur. Të gjitha autoritetet përgjegjëse dhe institucionet ligj zbatuese të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë dhe të përsëritur. Të nxirren dhe të hetohen përgjegjësitë e plota për çdo institucion që nuk ka kryer detyrën sipas ligjit për këtë ngjarje të përsëritur, që mund të kushte pasoja edhe më të rënda dhe të rrezikshme dhe pasoja tragjike për jetën e qytetarëve tanë por edhe atyre të huaj.
Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme, por edhe për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të çdo institucioni dhe individi të papërgjegjshëm që nuk ka kryer detyrën. Nga ky moment, Institucioni i Presidentit të Republikës vendos në dispozicion të Prokurorisë të gjithë dokumentacionin që disponon mbi zhvillimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të datës 16 maj 2018 dhe të gjitha konkluzioneve të tij.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.