Hapet tenderi/ Si do të jetë materniteti i ri i Lezhës! Rikonstruksion edhe spitalit e poliklinikës
Drejtoria e Spitalit Rajonal Lezhë ka hapur procedurën e tenderimit për rikonstruksionin e spitalit dhe ndërtimin e maternitetit të ri në Lezhë. Fondi limit është 294.7 milion lekë dhe tenderi parashikohet të mbyllet me datën 11 prill 2019.
Referuar dokumenteve të tenderit, projekti parashikon rikonstruksionin e poliklinikës, godinës kryesore të spitalit dhe ndërtimin e një godine të re që do të shërbejë si maternitet.
POLIKLINIKA
Ndërhyrjet në godinën e poliklinikës do të jenë pjesore. Ato konsistojnë në riparimin e fasadës kryesore, dyerve dhe dritareve të brendshme dhe të jashtme, nyjet higjeno-sanitare, tavanet, si dhe shtresat e tarracës. Është menduar që në Godinën e Poliklinikës të shtohet dhe një ashensor i jashtëm i cili do të bëjë lidhjen vertikale të godinës katër kate.
GODINA KRYESORE E SPITALIT
Referuar dokumenteve të tenderit, nga pikëpamja arkitektonike përmirësimi në Godinën Kryesore Spitalore, ka të bëjë me disa ndërhyrje të shpërhapura si; prishje në shkallë të vogël, përmirësim të daljeve të emergjencës, përmirësim të elementëve ndarës të brendshëm, lyerje të brendshme dhe të jashtme, riparim të shtresave të mureve, shtresave të dyshemeve dhe tavaneve të varur, riparim të ambienteve sanitare, hidroizolim të ambienteve sanitare, parashikim pandusesh, vendosje ashensorësh, drenazhim te themelit për të evituar lagështinë në objekt, etj.
Fasada e strukturës ekzistuese do të jenë me mur të suvatuar e te lyer me bojë në anën e brendshme , në anën e jashtme me një shtresë izolimi termik prej 10 cm ; fasada do të kete një rifiniturë me suva me ngjyra të ndryshme .
Funksionet në Godinën ekzistuese nuk do të ndryshojnë. Aktualisht pavijoni ekzistues i infektivit ka një kapacitet prej 20 shtretërish. Në rikonstruksionin e godinës kryesore të spitalit, ky pavijon do të shtohet me një sipërfaqe të re prej 124.8m², me kapacitet 10 shtretër.
MATERNITETI I RI
Shërbimi i obstetrikës dhe gjinekologjisë aktualisht është i vendosur larg kompleksit spitalor dhe për shumë prej shërbimeve që jepen aty ka kosto të larta të shpenzimeve spitalore (ngrohja, konsultat, ushqimi, reanimacioni) si dhe vështirëson funksionimin normal të procesit mjekësor. “Degradimi i godinës aktuale të maternitetit si dhe faktorët e lartpërmendur, sollën propozimin e ndërtimit të një godine të re me parametra bashkëkohore dhe kushte teknike optimale për funksionimin e saj” shkruhet në dokumentet e tenderit.
Godina e re e maternitetit parashikohet të ndërtohet brenda kompleksit spitalor të Lezhës.
Në godinën e re parashikohen të sistemohen shërbimet e Obstetike-Gjinekologjisë, Neonatologjisë, blloku i lindjeve si dhe konsultori i gruas. Godina e re do të jetë 4 kat mbi tokë dhe 1 kat nëntokë. Transferimi i funksioneve të godinës së maternitetit do të bëhet me përfundimin e godinës së re
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.