Hapja e bursës, AMF: Kanal për zhvillimin ekonomik
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi të enjten takimin e fundvitit me mediat. Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv Ervin Koçi, nënvizoi se një nga zhvillimet kryesore të vitit që po mbyllet ishte licencimi i Bursës së parë private, që sipas, tij, mund të jetë një kanal shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
“E rëndësishme në vitin 2017 është licencimi i shoqërisë bursa shqiptare e titujve, e cila në gjykimin e autoritetit do të jetë një kanal i ri ekonomik për të ndikuar në rritjen ekonomike të vendit”.
Zoti Koçi tha se mbrojtja konsumatore ka qenë ndër prioritetet kryesore të AMF për këtë vit, ndërsa do të jetë në krye të axhendës edhe për vitin 2018.
“Objektivi kryesor i punës tonë që në krye të erës ka qenë mbrojtja e konsumatorit dhe rritja e transparencës në komunikim, me prioritet trajtimin e të gjitha ankesave të qytetarëve për problematika të ndryshme që ka patur nga tregjet në mbikëqyrje”.
Vitin e ardhshëm, AMF është angazhuar për përmirësimin e kuadrit ligjor, ku përfshihen ndryshime që do t’i shërbejnë më mirë mbrojtjes së konsumatorit në shërbimet financiare, apo zgjidhjes së problematikave të mbartura ndër vite.
Zoti Koçi tha se Autoriteti mbetet i angazhuar për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve nën mbikëqyrje, siç është edhe përfshirja së fundmi në një projekt me Iniciativën për Akses në Sigurime, me qëllim ofrimin e produkteve të sigurimeve vullnetare edhe tek qytetarët me të ardhura të ulëta.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.