Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas nderohet me çmim – Shpallet projekti më i mirë hekurudhor 2017
Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës së re drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës ka fituar çmimin e EMEA Finance “Projekti më i mirë hekurudhor në 2017” në kategorinë e Financimit të Projekteve.
Projektet e financuara nga BERZH, e cila u cilësua “Këshilltari më i mirë për financimin e projektit” për rajonin EMEA fituan rreth 20 çmime në ceremoninë e zhvilluar në Londër.
Çmimet për Financimin e Projektit EMEA, të organizuar nga revista EMEA Finance, shqyrtuan marrëveshjet më të mira të financimit të projektit që u mbyllën në vitin 2017 në sektorin e energjisë dhe burimeve natyrore dhe infrastrukturore. Çmimet, që u ndanë për të dhjetin vit radhazi, u akorduan për rajonin e përgjithshëm të EMEA (Europa, Lindja e Mesme dhe Afrika) dhe gjithashtu edhe për kategori të veçanta rajonale.
Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës së re drejt Rinasit jo vetëm që do të rrisë efikasitetin dhe sigurinë e transportit hekurudhorë të udhëtarëve e mallrave, por gjithashtu do të ketë një impakt të madh edhe në zhvillimin ekonomik në të gjithë vendin.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.