Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas/ Nis financimi i projektit, 1.6 mld lekë për 2019-ën
Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës-Rinas do të nisin në vitin 2019, ndërkohë që në buxhet është parashikuar dhe financimi i nevojshëm për zbatimin e këtij projekti.
Sipas tabelave shoqëruese të projekt-buxhetit, për vitin e parë të punimeve është parashikuar financimi në masën e 1.4 miliardë lekëve, nga të cilat 1 miliardë janë grant i Fondit të Investimeve të Bashkimit Evropian, ndërsa 400 milionë lekë nga kredia e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ndërkaq, edhe qeveria shqiptare, e cila ka marrë përsipër të mbulojë kostot e TVSH-së ka akorduar 200 milionë lekë për vitin 2019.
Vlera totale e projektit është 8.75 miliardë lekë, që tashmë janë siguruar nga financimi i huaj dhe 1.75 miliardë lekë që përllogaritet vlera e TVSH-së që do të financohet nga buxheti i shtetit. Linja e rehabilituar Tiranë-Durrës do të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h. Ndërkohë që linja e re që synohet të shtohet, fillon në km e 27-të nga Durrësi dhe përfundon me një terminal pasagjerësh në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Pavarësisht se nuk është vendosur ende, çmimi i biletës pritet të kushtojë nga 1-1.2 euro, ndërsa punimet pritet të mbyllen në fund të vitit 2020. Linjat e reja pritet të rrisin efikasitetin dhe sigurinë e transportit hekurudhor të mallrave e të udhëtarëve ndërmjet Tiranës, Durrësit dhe aeroportit të Rinasit dhe në të njëjtën kohë, do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të zonës ekonomike të rajonit të Durrësit, Tiranës dhe të gjithë vendit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.