Hyn në fuqi kontrata 1 euro për plantacionin 6.6 mln euro të avokadove, goji berry, etj. në Karavasta
Ditën e enjte ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për transferimin e rreth 384 hektarësh tokë shtetërore drejt investitorit strategjik “Agro Iliria Group” sh.p.k. Bëhet fjalë për një kontratë 30-vjeçare më vlerë simbolike 1 euro, e cila do të lejojë investitorin të realizojë projektin e tij në fushën e bujqësisë.
Projekti parashikon ngritjen e një plantacioni me shegë, goji berry, avokado dhe finger lime në zonën e Karavastasë në Bashkinë e Divjakës. Kompania, e cila operon në fushën e import-eksportit të produkteve e nënprodukteve bujqësore e blegtorale, do të kryejë një investim minimal prej 6.6 milionë eurosh.
Gjatë kohës së ndërtimit dhe operimit parashikohet punësimi i të paktën 365 personave. Sipërfaqja totale e plantacionit pritet të jetë rreth 800 hektarë.
Projekti u përzgjodh si investim strategjik nga Komiteti i Investimeve Strategjike në Prill të këtij viti.
Së fundmi qeveria ka miratuar një sërë kontratash me vlerë simbolike 1 euro. Të tilla janë ato për portin detar të Limjonit në Sarandë, transferimi i 200 hektarëve për investimin strategjik “Albpanel” në Fier dhe Divjakë; si dhe 3 kontrata për nxitjen e investimeve në qarkun e Durrësit.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.