Hyrja në bare, me “green pass” – COVID-19, Brataj: Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk e ka vendosur ende
Komiteti Teknik i Ekspertëve nuk ka vendosur ende nëse do të kërkohet “Green Pass” përpara hyrjes në bare e restorante”. Gjithçka bëhet me dije nga kreu i Urgjencës Kombëtare, njëkohësisht anëtar i Komitetit, Skënder Brataj, pas deklaratave të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Një ditë më parë, teksa në Kuvend diskutohet Akti Normativ për marrëveshjen e re të vaksinave me kompaninë Pfizer, Manastirliu tha se edhe vendi ynë do të ndjekë praktikat e vendeve evropiane, që lejojnë futjen në ambientet e brendshme të bareve dhe restoranteve, vetëm të qytetarëve që janë të vaksinuar për COVID-19. Kjo masë aplikohet për të frenuar përhapjen e infeksionit, por edhe për të stimuluar vaksinimin, ndonëse si alternativë, qytetarëve iu lihet të paraqesin testin negativ, që tregon se nuk janë të infektuar.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja nuk bëri me dije nëse në këtë rast do të ofrohet alternativa për të paraqitur testin negativ, por në rastin e studentëve, mësuesve apo edhe kategorive të tjera ky opsion është lënë në fuqi. Nëse marrim në konsideratë hapat e ndjekur deri më tani, do të jetë Komiteti Teknik i Ekspertëve, ai që do të rekomandojë ose jo ndërmarrjen e kësaj mase, ndërkohë që më pas është qeveria ajo që vendos nëse këto rekomandime merren në konsideratë apo jo.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, deri më tani rezulton e vaksinuar rreth 44% e popullsisë mbi 16 vjeç, ndërkohë që Shqipëria do të ndjekë objektivin e OBSH për vaksinimin e 70 % të popullsisë deri në mesin e vitit 2022.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.