Imazhet/ Si do të jenë kartëmonedhat e reja që do të hidhen në qarkullim në Shqipëri
Banka e Shqipërisë ka prezantuar serinë e re të përmirësuar të kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, të cilat do të hidhen në qarkullim gradualisht.
Seria e re e kartëmonedhave Lek do të përmbajë 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe prerjen e re 10000 Lekë.
Kjo seri do t’i prezantohet publikut gradualisht gjatë disa viteve, duke nisur nga viti 2019. Kartëmonedhat 200 dhe 5000 Lekë do të jenë dy prerjet e para që do të hidhen në qarkullim nga kjo seri, më 30 shtator 2019.
Kalendar i hedhjes në qarkullim
Kartëmonedha 200 Lekë 2019
Kartëmonedha 5000 Lekë 2019
Kartëmonedha 1000 Lekë 2020
Kartëmonedha 10000 Lekë 2021
Kartëmonedha 500 Lekë 2022
Kartëmonedha 2000 Lekë 2022
Kartëmonedhat përmbajnë një sërë elementesh sigurie që i mbrojnë nga falsifikimi dhe ruajnë besueshmërinë e publikut tek paraja.
“Seria e re e kartëmonedhës shqiptare gërsheton sigurinë maksimale, pamjen moderne, komunikimin artistik të mesazhit historik dhe rezistencën më të lartë gjatë përdorimit. Ajo është rikonceptuar e plotë me 6 prerje: 200, 500, 1.000, 2.000, 5.000 dhe 10.000 Lekë.
Ndërkohë që dy prerjet e para të kësaj serie, ajo 200 Lekë dhe 5000 Lekë – emetime të vitit 2017, janë gati për t’u hedhur në qarkullim më 30 shtator 2019, kartëmonedhat e tjera të serisë do të hidhen në qarkullim në mënyrë graduale gjatë 3-4 viteve të ardhshme dhe do të kenë vlerë ligjore krahas prerjeve ekzistuese.
Prezantimi i serisë së re dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në rritjen në vijimësi të cilësisë dhe sigurisë së kartëmonedhave në qarkullim.
Të dy këto tipare, cilësia dhe siguria, garantojnë integritetin e pacenueshëm të kartëmonedhës sonë në raport me publikun dhe prezantojnë denjësisht Bankën e Shqipërisë dhe vetë shtetin shqiptar” tha Guvernatori Gent Sejko në fjalën e mbajtur në ceremoninë e prezantimit.
Të gjitha prerjet e serisë aktuale të kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare, përveç asaj 2000 Lekë janë miratuar në vitin 1995 dhe janë hedhur në qarkullim në vitin 1996.
Ndërkohë, në vitin 2008, serisë iu shtua kartëmonedha 2000 Lekë dhe në fund të vitit 2011 përfundoi kursi ligjor për kartëmonedhën 100 Lekë.
Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit në fushën e prodhimit dhe elementeve të sigurisë së kartëmonedhave, me qëllim që ato të jenë më të sigurta, duke ia bërë “më të vështirë jetën” falsifikatorëve.
Seria e re e kartëmonedhave është prodhuar me teknologjitë më të fundit dhe elemente inovative. Në rastin e kartëmonedhës 200 Lekë, materiali prej polimeri, i përdorur është më i qëndrueshëm fizikisht, i sigurt dhe ndihmon në pastërtinë e kartëmonedhës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.