Importi “zbeh” prodhimin vendas – Produktet bujqësore, Rrapaj: Tregtarët paguajnë më pak kosto
Prej vitesh, krahas importit të produkteve që mungojnë në vend, është vënë re rritje e importit të produkteve, prodhimi të cilave në vend është tejet i lartë. Referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, mund të vëmë re se ndër produktet bujqësore më të importuara gjatë vitit që lamë pas, kanë qenë kategoria: mollë, dardhë dhe ftonj të freskët 15.567 ton; Patate të freskëta apo të ftohta 17.220 ton; Agrume të freskëta apo të thara 19.889 ton, por edhe perime të ndryshme. Ekspertët e bujqësisë shpjegojnë se pse ndodh ky paradoks, që më së shumti lidhet me shkaqe ekonomike.
“Arsyeja e parë është që në sezone të caktuara, ku ne kemi prodhim të natyrës, pra që të vilet, ne jemi të detyruar që të marrim nëpër depot e ruajtjes së këtyre produkteve edhe për këto produkte që thatë ju. Depot tona nuk është se s’kanë kapacitet, por nuk kanë llojshmërinë e plotë të varieteteve të ndryshme që duan dhe që kërkon konsumatori. Ky është një shkak. Shkaku i dytë ka të bëjë me kostot. Prodhimet që vijnë nga importi janë prodhime të subvencionuara si nga vendet e BE-së dhe nga vendet përreth nesh. Kostoja e tyre është më e lirë se sa kostoja e prodhimit vendas. Elementi I tretë ka të bëjë me rrjetet tregtare. Rrjetet tregtare janë të fokusuara me kompanitë që prodhojnë dhe importojnë në mënyrë të rregullt nëpër tregje.”
Por çfarë duhet bërë që ky raport të ndryshojë? Rrapaj thekson se më së shumti ka të bëjë me politikat e qeverisë dhe investimet.
“Ky mund të ndryshojë vetëm duke investuar. Në qoftë se ne do të investojmë në depot frigoriferike, në depot e ruajtjes, në depot e procesit të ambalazhimit dhe të certifikimit, me të gjitha këto procese ne do të kemi mundësinë që të plotësojmë kërkesat e konsumatorit. Në të njëjtën kohë, në qoftë se ne nuk do të lidhemi me supermarketet, sepse ju shihni këtu një sasi të madhe të produkteve të importuara, po këtë kryesisht e bëjnë supermarketet. Supermarketet nuk marrin prodhim vendas, kryesisht, por marrin prodhim të importuar sepse është i certifikuar, prodhimi ynë nuk është in certifikuar.”
Skemat Kombbëtare të mbështetjes së fermerëve dhe fondet e IPARD prej 94 milion euro synojnë pikërisht financimin në bujqësi dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe magazinuese.
Tabelë
Importi 2017
Mollë, dardhë dhe ftonj të freskët 15.567 ton- 8.8 milionë euro
Patate të freskëta apo të ftohta 17.220 ton – 4.8 milionë euro
Agrume të freskëta apo të thara 19.889 ton – 9.3 milionë euro
Zarzavate të tjera të freskëta 3000 ton – 2 milionë euro.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.