Këmbimi valutor, euro në rënie të lehtë – Forcohen dollari amerikan dhe stërlina
Kjo javë ka nisur keq për euron në tregun e këmbimit valutor vendas, ku monedha e huaj është dobësuar ndaj lekut dhe sot këmbehet për 128.8 lekë në shitje dhe 129.5 lekë në blerje. Krahasuar me nivelin e ditës së premte, euro ka rënë me 0.2 lekë, duke iu drejtuar sërish vlerave nën 129 lekë.
Tashmë prej rreth 20 ditësh euro luhatet rreth këtij aksi, një e dhënë që mund të sjellë stabilizimin e shpejtë në këtë vlera, pas “panikut” të tregut mbi politikat e deeuroizimit.
Ndërkohë dollari amerikan ka arritur të fitojë plot 0.5 pikë ndaj lekut krahasuar me javën e kaluar, duke iu afruar kuotës së 104.8 lekëve. Për dollarin ky është një efekt i ndikuar nga ecuria pozitive në tregjet ndërkombëtare. Lajmet e mira që vijnë nga Azia e largët, ku Korea e Veriut deklaroi ditën e shtunë se do të pezullonte programin bërthamor, i japin një shtysë valutës amerikane.
Në rritje shfaqet sot edhe paundi britanik me 0.5 pikë ndaj lekut, në nivelin e 147 lekëve në shitje. Megjithatë stërlina është thjesht duke rikuperuar disa prej humbjeve të shkaktuara nga deklarata e Guvernatorit të Bankës së Anglisë se mund të mos ketë rritje të normave të interesit në Maj. Në këtë rritje kishin shpresuar prej javësh investitorët ndërkombëtarë, duke i dhënë një epërsi paundit ndaj valutave të tjera.
Sa i takon disa prej valutave të tjera që këmbehen në vend, franga zvicerane nuk ka patur luhatje në raport me nivelin e javës së kaluar, dollari australian është dobësuar lehtë me 0.1 pikë, ndërsa dollari kanadez është zhvlerësuar me 0.2 pikë ndaj lekut.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.