Këmbimi valutor, leku nuk ndal vrullin – Bien sërish euro, dollari amerikan dhe stërlina

Ditën e enjte, tregu i këmbimit valutor ka regjistruar edhe njëherë zhvlerësimin e valutave kryesore të huaja në raport me monedhën vendase. Leku ka hyrë tashmë në atë që “Wall Street” do ta quante një arrati të demit, e cila shpreh tendencën në rritje të një titulli në bursë.
Nëse euro kishte arritur të fitonte disa pikë të çmuara ditën e djeshme, sot i është rikthyer trendit rënës, duke humbur 0.3 pikë, por duke arritur të qëndrojë në nivelin e 129 lekëve.
Në humbje regjistrohet edhe kursi i këmbimit për dollarin amerikan, i cili ka regjistruar një pikë rë re të ulët rekord të këtyre 4 viteve të fundit. Dollari nuk ndihmohet as nga ecuria në tregjet ndërkombëtare, ku shqetësimeve për luftën tregtare me Kinën u shtohen tensionet me Rusinë mbi aksionin ushtarak në Siri.
Një rënie më të lehtë ka regjistruar edhe paundi britanik, i cili tashmë shkon në kuotën e 147.5 lekëve. Perspektiva megjithatë mbetet pozitive për një ringritje të stërlinës, për shkak se po rriten pritshmëritë për një rritje interesash gjatë muajit të ardhshëm.
Luhatja më e madhe e ditës së sotme i takon frangës zvicerane, e cila ka zbritur në 108.5 lekë, duke iu afruar niveleve të javës së shkuar.
Ndërkohë, i kanë shpëtuar trendit rënës dollari australian dhe ai kanadez. Valuta australiane ka mbetur në vend në kuotën e 80.5 lekëve, ndërsa dollari kanadez është forcuar lehtë ndaj lekut me 0.3 pikë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.