Këmbimi valutor, paundi arrin rekord negativ – Leku forcohet lehtë, mbahen euro dhe dollari

Dita e premte në tregun valutor vendas ka nisur me një rënie të parashikuar të stërlinës britanike, teksa vendi ishullor është duke shqyrtuar aktualisht pasojat e një daljeje nga Bashkimi Europian pa marrëveshje.
Paundi britanik u ul me 0.5 lekë për njësi dhe ndodhet në kuotën e 139 lekëve në blerje dhe 140 lekëve në shitje. Ky është një nga nivelet më të ulëta për këtë valutë që prej krizës financiare botërore kur arriti deri në nivelin e 127 lekëve për njësi. Në dëm të vlerës së paundit po ndikon edhe fuqizimi i dollarit amerikan, kundrejt të cilit stërlina ka rënë me 11% që prej Prillit.
Në tregun vendas ndërkohë dollari amerikan vijon të qëndrojë në kuotën e 108.4 lekëve. Në të vërtetë nuk priteshin luhatje për shkak se bisedimet dyditore me zyrtarët kinezë nuk sollën përparim të konsiderueshëm. Tashmë fokusi për ecurinë e dollarit është drejtuar nga Rezerva Federale dhe treguesit ekonomikë.
E pandryshuar ditën e sotme është edhe vlera e monedhës së përbashkët europiane. Euro mbeti në kursin e 125.3 lekëve për njësi, ndërsa blihet për 126 lekë. Pa ndryshim paraqitet edhe franga zvicerane, në kuotën e 110 lekëve për njësi.
Ndërkohë, leku është forcuar lehtë kundrejt dollari australian me 0.1 lekë për njësi, si dhe ndaj dollarit kanadez me 0.3 lekë për njësi.
Sakaq lira turke vijon zhvlerësimin, ndonëse me një ritëm të ngadalësuar. Në tregun vendas sot aktualisht ajo këmbehet për 17.8 lekë për njësi. Ankaraja zyrtare akuzon Shtetet e Bashkuara se ka nisur një luftë ekonomike dhe kërkon nga Uashingtoni të respektojë procesin gjyqësor që po zhvillohet për pastorin amerikan, në qendër të këtij konflikti mes dy aleatëve të NATO.
EUR/ALL 125.30 -126.00
USD/ALL 108.40 -109.20
GBP/ALL 139.00 – 140.00
AUD/ALL 78.70 – 79.50
CAD/ALL 82.70 – 83.50
CHF/ALL 110.00 – 111.00
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.