Këshilli Mbikëqyrës i BSH – Kuvendi nis procedurat për të zëvendësuar Arben Malaj
Parlamenti ka nisur procedurat për plotësimin e vendit vakant në Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pas shkarkimit të anëtarit Arben Malaj. Duke qenë se Malaj ishte kandidaturë e propozuar nga Kuvendi, procedura e përzgjedhjes së kandidatit që do ta zëvendësojë do të kryhet nga ky institucion, përmes Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, kandidatët për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës duhet të kenë arsimin e lartë ekonomik ose juridik, përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare, kualifikime profesionale të profilit, si edhe përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.
Afati për paraqitjen e kandidaturave është data 16 qershor.
Arben Malaj u shkarkua nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës më 18 dhjetor 2019, pasi Këshilli i Ministrave e kishte pezulluar nga detyra në fillim të atij muaji. Pezullimi dhe kërkesa për shkarkim u motivua nga Kryeministria me pretendimin se Arben Malaj kishte mbajtur deklarata dhe qëndrime politike, që binin ndesh me kërkesat e nenit 47 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.