Klima e biznesit – Moslistimi në bursë penalizon aksionerët e pakicës
Raporti “Doing Business 2020” dëshmoi se këtë vit Shqipëria ka dështuar të bëjë përmirësime në klimën e biznesit.
Një nga treguesit ku renditja e Shqipërisë ngelet veçanërisht e dobët është mbrojtja e investitorëve të pakicës. Në këtë indikator, Shqipëria renditet në vendin e 111 në Botë. Një nga arsyet kryesore që e bën Shqipërinë mjedis relativisht të pazhvilluar për mbrojtjen e investitorëve të pakicës është mungesa e listimeve në Bursë.
Ndërmarrjet e listuara në Bursë kanë kërkesa të larta që lidhen me transparencën, publikimin e informacionit dhe standardet e qeverisjes korporative. Ndaj, veç të tjerash, listimi në bursë do të garantonte edhe një mbrojtje më të mirë të interesave të aksionerëve të vegjël. Mungesa e një tregu kapitali të zhvilluar kufizon ndjeshëm aksesin e bizneseve në financim dhe potencialet për një zhvillim më të lartë të ekonomisë së vendit.
Për herë të parë, raporti “Doing Business” këtë vit përmend hapjen e bursës shqiptare të titujve ALSE, si një zhvillim domethënës në tregun financiar, por nënvizon faktin se ende nuk ka kompani të listuara në të. Që nga shkurti i këtij viti, ALSE është ligjërisht e licencuar për të tregtuar tituj të shoqërive private.
Por, pengesa e vetme për ta bërë këtë në praktikë ngelet licencimi i regjistrarit të bursës si operator i sistemeve të pagesave nga Banka e Shqipërisë.
Kjo është një hallkë e domosdoshme për të mundësuar shlyerjen e pagesave për transaksionet me titujt e kompanive private.
Pritshmëritë ishin që licencimi i ALREG të bëhej brenda vjeshtës, megjithatë kjo ende nuk ka ndodhur, sepse zakonisht burokracia ka një hap më të ngadaltë se sipërmarrja.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.