Klima e biznesit, paketa fiskale – Bezhani: Dhoma Amerikane kërkon më tepër konsultim me biznesin
Diskutimi dhe njohja e shumë e nismave ligjore, por kryesisht e ndryshimeve në ligjet fiskale është kërkuar gjithnjë nga komuniteti i biznesit.
Gjatë një interviste në TV SCAN, Drejtorja Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enida Bezhani, u shpreh se tashmë sipërmarrësit janë në pritje të paketës së re fiskale që do të shoqërojë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm.
Por ajo kërkon që qeveria të jetë “korrekte” duke iu dhënë kohën e duhur për tu njohur dhe për të reaguar këtë ndërhyrjet e mundshme. 0
“Dhënia e një mendimi për paketën fiskale është një nga traditat e Dhomës. Është një nga proceset që në ndjekim më me vëmendje në çdo vit. Ne jemi në pritje të paketës fiskale për vitin 2018 nga qeveria. Ajo që mbetet me shumë rëndësi për ne është natyrisht paraqitja e kësaj pakete të re fiskale në kohë, në mënyrë që ne të kemi mundësi të japim sugjerimet tona, të japim rekomandimet tona në kohën e duhur duke qenë se ne ndjekim dhe disa parametra të brendshëm të Dhomës në mënyrë që të kemi një gjithë përfaqësi të të gjithë procesit. Pra të gjitha këto le të themi paketa fiskale ndër vite, ashtu si dhe paketa fiskale e pritshme, do të kalojnë pra në të gjithë anëtarësinë tonë, nëpër bord, do të kalojnë nëpër Komitetin e Ligjeve dhe Taksave për të vazhduar pastaj një diskutim me Ministrinë respektive dhe me Komisionin e Ekonomisë deri në momentin e miratimit.”
Një vit më parë fokusi i paketës fiskale ishte përmirësimi i procedurave dhe administrimit të taksave e tatimeve. Ndërkohë që këtë vit akoma nuk ka një draft të publikuar nga Ministria e Financave.
Por deklarata e kryeministrit për shtrirjen e TVSH te biznesi i vogël ka bërë që klima në këtë komunitet të “ziejë”.
Vjoleta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.