Kohëzgjatja e pandemisë dhe 3 planet rezervë të qeverisë/ Rama: Nëse do na duhet të shkojmë në planin D, Zoti na ndihmoftë!
Duke i paraprirë pakënaqësive që mund të lindin nga kategoritë që nuk janë përfshirë në Programin Financiar të ndihmës në kushtet e pandemisë, kryeministri Edi Rama foli për disa skenare të ndryshme për përballimin e pasojave.
“Plani ynë i financimit të luftës nuk do të jetë një plan i vetëm, por një plan A me një rezervë B dhe me një rezervë tjetër C dhe nëse armiku nuk largohet dhe të do nevojitet një plan D” u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.
Kryeministri la të kuptohej se secili plan reagimi ekonomik është i ndryshëm nga tjetri, në përshkallëzim nga pozitivi në negativ, i varur nga kohëzgjatja e pandemisë në vend. Pra, sa më shumë të zgjasë pandemia, aq më e vështirë do të jetë për ekonominë e vendit. “Nesë armiku nuk largohet për 6 muaj, dhe na duhet plan D atëhere Zoti i madh na ndihmoftë se do zbulojmë cfarë forme ka një plan D” tha kryeministri.
Para se të prezantonte planin, kryeministri tha se një ndër opsionet e diskutuara ishte që ata që fitojnë më shumë do të paguanin më shumë, por që në fund ishte tërhequr për të mos dhënë mesazhin e krijuar perceptimin e gabuar se kjo masë merret në kushtet e pamundësisë së arkës së shtetit.
Po ashtu, kryeministri theksoi se askush nuk e di se çfarë do të ndodhë pas 3 muajsh dhe se Shqipëria nuk e ka luksin për të shpenzuar me planin e lehtësimit ekonomik.
Rama nënvizoi faktin se situata e coronavirusit, nuk është e ngjashme me atë të tërmetit, e se në këtë rast jemi totalisht vetëm, ku secili duhet të mbrojë veten dhe familjen e tij.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.