Komisioni për Politikën e Jashtme miraton tre projektligje: Fokus marrëdhëniet me EFTA, SHBA dhe Britaninë e Madhe!
Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e Kryetares, Mimi Kodheli, miratoi në seancën e sotme tre projektligje: projektligjin “Për ratifikimin e vendimit të komitetit të Përbashkët EFTA – SHQIPËRI për ndryshimin e protokollit B të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Shqipërisë lidhur me përkufizimin e konceptit të “produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ dhe ndryshimi i marrëveshjeve për bujqësinë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës së Zvicrës dhe Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Islandës si pjesë përbërëse e saj”, projektligjin “Për ratifikimin e memorandumit të Mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë” dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, për ripranimin e personave dhe protokollit zbatues të marrëveshjes”.
Qëllimi i projektligjit të parë të prezantuar nga përfaqësuesja e MF ishte ratifikimi i ndryshimit të marrëveshjes për bujqësinë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Norvegjisë, e cila është pjesë përbërëse vendimit të Komitetit të Përbashkët EFTA – Shqipëri, firmosur më 8 korrik 2021 në Gjenevë nga Ambasadorja e Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, Ravesa Lleshi.
Sipas njoftimit për projekt ligjin e dytë të miratuar drejtori i Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, në prezantimin e tij bëri me dije se qëllimi i këtij projektvendimi është propozimi i projektligjit për ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, lidhur me vendosjen e kufizimeve të importit të kategorive të materialeve arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë, memorandum ky që është miratuar në parim nga Këshilli i Ministrave dhe është nënshkruar më 23.8.2021, në Uashington, nga ministri i Kulturës, Elva Margariti dhe Ndihmës-sekretari i Shteteve të Bashkuara për Kulturën dhe Edukimin, Mattheë Lussenhop. Ai shtoi se marrëveshje të tilla bashkëpunimi ekzistojnë edhe me Policinë Italiane dhe Interpolin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.