Kompensimi/Fatura e frikshme për pronarët! ATP: Detyrimi financiar për 25,968 dosje: 1 miliard dollarë
100.6 miliardë lekë, apo afërsisht 1 miliardë dollarë është fatura financiare që shteti shqiptar duhet të paguajë për kompensimin e pronarëve. Shifra është zbardhur më në fund nga Agjencia e Trajtimit të Pronave në raportin që i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë për realizimin e objektivave.
Në raport Agjencia njofton Ministrinë se “Në periudhën janar-gusht, ka përfunduar se vlerësuari gjithsej 25,968 vendime përfundimtare për kompensim të viteve 1993-2013 vlerësim prej të cilit rezultuan të dhëna si më poshtë: “Së pari 21,429 vendime u vlerësuan financiarisht me një vlerë prej 100,655,738,106 lekë, vlerë e cila pritet të ndryshojë pasi ATP-ja është në pritje të përfundimit të ankimeve nga subjekti në bazë të afateve ligjore. Së dyti 3721 vendime kosiderohen të kompensuara dhe së treti, 818 vendime të dublikuara .
Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin, subjektit i lind e drejta t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, sipas përcaktimeve të këtij ligji”, shkruan në Raport Agjencia e Trajtimit të Pronës.
Shifra prej 1 miliardë dollarë ka dalë përmes formulës së re që përdor qeveria për llogaritjen e kompensimit financiar, e cila nuk bazohet te vlera aktuale e tokës, por te zëri kadastral që ajo ka pasur në përpara vitit 1945. Sipas shoqatave të pronarëve, në rast se llogaritja do të bëhej në bazën reale të vlerës, fatura financiare do të arrinte mbi 4 miliardë dollarë.
Kompensimi, nevojiten dekada
Një shifër e tillë e shtyn në së paku dy dekada procesin e kompensimit të pronarëve, i cili ishte parashikuar të kryehej në dhjetë vite. Qeveria parashikon në funksion të këtij procesi një shifër prej mesatarisht 50 milion dollarësh në vit (që nuk është shpërndarë për asnjë vit). Në këto kushte do të dyheshin të paktën 2 dhjetëvjeccarë për të përfunduar procesin.
Ndërkaq, një raport i Avokatit të Popullit mbi çështjen e kompensimit të prionarëve thekson se shteti jo vetëm nuk po i përmbahet detyrimit ligjor për kompensimin financiar, por as nuk po kërkon mënyra të tjera, sic mund të ishte kompensimi në natyrë. “Edhe pse janë të evidentuara mijëra hektarë tokë me regjim juridik “Shtet”, të mjaftueshme për zgjidhjen e çështjes së kompesimit në natyrë, kjo çështje sipas Ligjit nr.133/2015, është adresuar kryesisht për t’u zgjidhur me anë të kompensimit financiar.
Mosekzekutimi deri më sot i 26 mijë vendimeve me të drejtë kompesimi, të dhëna ndër vite prej Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish Pronarëve (AKKP), sot Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP), ka bërë që ky proces të mbetet ende në kuadrin deklarativ”, thekson në raportin e vitit të shkuar avokati i popullit.
Vendimet e gjykatave
Ndërkohë që po në të njëjtin raport, Avokati i Popullit konkludon se çështja e moszbatimit të vendimeve të gjykatave si dhe i vendimeve administrative, në lidhje me kthimin dhe/ose kompesimin e pronarëve ka qenë dhe mbetet një problem sistematik. “ATP-ja edhe pse është urdhëruar të përmbushë detyrimin në të holla sikurse është vendosur nga gjykata, zvarrit pa shkak ekzekutimin e tyre.
E njejta situatë vërehet dhe në procesin e ekzekutimit të vendimeve të dhëna prej Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, me palë shtetin shqiptar, i cili duhet të përmbushë detyrimet e vendosura në këto vendime, brenda afateve të përcaktuara.
Detyrimi i parashikuar në pikën 1, të nenit 34, të Ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompesimit të pronave”, për përfundimin e procesit të shqyrtimit të dosjeve që janë aplikuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që kanë qënë në proces shqyrtimi pranë ATP-së, brenda një afati 3 vjeçar nga hyrja në fuqi e ligjit, nuk është përmbushur nga ana e ATP-së”, thekson zyra e Avokatit të Popullit.
Ndërkohë që dy gjykatat kryesore në vend nuk funksionojnë fare për shkak të shkarkimeve nga Vetting-u, dhe kur problemi i mungesës së gjyqtarëve po zbret edhe te apelet, shqyrtimi i përplasjeve gjyqësore për ccështjet e pronave ka mbetur thuajse në vendnumëro.
Në vitin 2016 numri i padive të pronësisë të shqyrtuara nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Administrative arrin në 1,595. Në vitin 2016 numri i padive të pronësisë është 213 çështje më shumë se në vitin 2015.
Në vitin 2016 nga të gjitha Gjykatat e Shkallës së Parë janë shqyrtuar 596 padi pronësie më shumë në krahasim me vitin 2014. Në vitin 2017 numri i padive të pronësisë të shyrtuara nga Gjykatat e Shkallës së Parë dhe Administrative arrin në 1,911 çështje të përfunduara.
Qarqet me më shumë probleme
Qarku Vlorë konkretisht rrethi Sarandë, Delvinë kanë problematikë me marrjen e vërtetimeve kadastrale dhe hipotekore për shkak se në këtë rreth ZVRPP Sarandë është djegur në 1997, ndërsa zyra e kadastrës Sarandë është vjedhur në 2009. Qarku Fier, përfshirë Mallakastrën kanë të njëjtin problem, pasi ZVRPP e Fierit eshte djegur në 1997. Po ashtu në Qarkun Gjirokastër, Tepelena ka të njëjtin problem.
Per sa i përket marrjes së dokumentacionit në qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan ka probleme pasi subjektet paisen me fragmente harte apo dokumcntacionin hipotekar nga ZVRPP pa vulën njehsuese lidhëse. Për Qarkun Diber dhe qytetin e Librazhdit subjektet depozitojnë dokumentacion ligjor të viteve 1947 apo 1950- 1952, gjë e cila na flet pas reformës agrare. Subjektet nuk arrijnë të gjejnë dokumente të tjerë ligjorë për trajtim në ATP.
Për sa i përket problematikave të hasura nga ana e subjekteve për marrjen e dokumentacionit për qarqet Durrës, Korçë, Berat, në rastet kur prona është në bashkëpronësi, shpesh bashkëpronarët nuk mund të gjejnë dokumentacion.
Lorenc Rabeta/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.