Kredia për investime – Në rritje vjetore me 6.8%

Kredia për investime është rritur gjatë vitit 2016. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia për blerje të makinerive dhe pajisjeve në janar të këtij viti kishte vlerën e 100 miliardë lekëve, në rritje me 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndonëse kreditimi i biznesit në tërësi ngelet ende i vakët, rritja e kredisë për investime është një zhvillim pozitiv, që tregon se ekonomia po prodhon projekte të reja dh ato po gjejnë mbështetjen e sistemit bankar.
Rritja e kredisë për investime po favorizohet padyshim edhe nga normat e ulëta të interesit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi i kredive për investime në janar të këtij viti në lekë ra në 7.9%, nga 10.5% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Interesat janë edhe më të ulëta në euro, mesatarisht me 4.6% për janarin.
Në dy vitet e fundit, ecuria e investimeve private në ekonomi është në përmirësim, çka dëshmohet nga statistikat e prodhimit kombëtar, ashtu si edhe ato të tregtisë së jashtme.
Për 9-mujorin e vitit të kaluar, formimi i kapitalit fiks u rrit mesatarisht me 7.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Ndërsa importi i makinerive dhe pajisjeve për vitin 2016 u rrit me 11.4% krahasuar me një vit më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.