Kreditë me probleme ulen në 8.1% – Prekin nivelin më të ulët që nga prilli i vitit 2009
Raporti i kredive me probleme ra lehtë në muajin maj dhe regjistroi nivelin më të ulët që nga prilli i vitit 2009. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky tregues zbriti në nivelin 8.1%. Ngrirja e riklasifikimit të kredive, paralelisht me një rritje të lehtë të portofolit të huasë për ekonominë e ka përmirësuar më tej treguesit bazë që tregon cilësinë e aseteve në portofolin e bankave. Në fund të muajit maj, portofoli i kredisë për ekonominë kishte vlerën e 582 miliardë lekëve, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Megjithëse shifrat aktuale nuk mund të japin ende një tablo realiste të gjendjes së portofolit të kredisë, ato krijojnë premisë për një përmirësim të mëtejshëm deri në vjeshtë, kur pritet që të ketë një rritje të këtij treguesi.
Masat e Bankës së Shqipërisë që ngrijnë riklasifikimin e kredive do të shfuqizohen në fund të muajit gusht dhe pas këtij moment bankat duhet të fillojnë të raportojnë dhe provigjionojnë kreditë me vonesa.
Masat e përkohshme u ndërmorën nga Banka e Shqipërisë për të mundësuar shtyrjen e kësteve të kredisë të huamarrësve që u prekën nga pasojat e krizës së Covid-19. Mbështetur në të dhënat e raportuara nga bankat, vlera totale e kredive të shtyra ishte më shumë se 2 miliardë euro.
Ulja e pritshme e rritjes ekonomike pritet të godasë aftësinë paguese të bizneseve dhe familjeve, çka do të sjellë rritje të portofolit të kredive me probleme.
Kjo do ta vendosë sistemin bankar përballë një skenari sfidues, megjithatë pozitive është që kriza e radhës e gjeti sistemin bankar në pozita të shëndetshme. Në fund të tremujorit të parë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti nivelin rekord prej 19.1%.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.