Krijohet fondi social – Ofrimi i shërbimeve, mbështetje financiare për vendorët
Qeveria ka vendosur të krijojë një mekanizëm të ri financiar, atë të fondit social, i cili do të sigurojë mbështetje financiare për njësitë e vetëqeverisjes vendore, me qëllim përmirësimin e standardeve e të kapaciteteve administruese të shërbimeve ekzistuese të kujdesit shoqëror, planifikimin e krijimin e shërbimeve të reja, si dhe zhvillimin e politikave sociale.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, fondi social krijohet me burime financiare nga: fondet e kushtëzuara, që akordohen nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale; fondet nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore, të parashikuara për shërbimet shoqërore; të ardhurat nga organizatat jofitimprurëse, individët e bizneset, si dhe donatorë të huaj e lokale; tarifat për shërbimet për përfituesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror.
Njësia e vetëqeverisjes vendore vlerëson kapacitetet financiare dhe burimet njerëzore që mbështesin ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në nivel vendor.
Ministria përgjegjëse për çështjet sociale parashikon në buxhetin e saj fonde për financimin e shërbimeve të përkujdesjes shoqërore, të cilat u transferohen njësive të vetëqeverisjes vendore ku funksionojnë këto shërbime, bazuar në planet sociale të buxhetuara.
Njësia e vetëqeverisjes vendore prokuron shërbimet e kujdesit shoqëror dhe lidh kontratat me ofruesit e shërbimit, duke u dhënë përparësi ndërmarrjeve sociale në ofrimin e këtyre shërbimeve.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.