Krijohet platforma ‘Akses në Financë’ – Denaj: Mund të aplikoj të gjithë ata që duan të zgjerojnë apo rrisin investimet në biznesin e tyre

Të gjithë ata që dëshirojnë të zgjerojnë aktivitetin, të rrisin investimin, duke përfituar nga mundësitë financiare, që tregu ofron me grante, kredi apo nisma të tjera financuese, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe AIDA janë të ftuar të njihen me mundësitë që ofron platforma ‘Akses në Financë’, e mundësuar nga BERZH.
Sipas informacionit të publikuar Platforma ‘Akses në Financë’ është krijuar për t’u shërbyer Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme shqiptare, të cilat duan të zgjerojnë dhe investojnë në aktivitetin e tyre duke përfituar nga mundësitë financiare që tregu ofron, me grante, kredi apo nisma të tjera financuese. Në njoftim theksohet se kjo platformë online do të ofrojë një shërbim “one-stop-shop” me informacione që lidhen drejtpërdrejt me aksesin në financë për NVM-të, i cili ofrohet nga institucione, organizata apo kompani të ndryshme private dhe publike, kombëtare e ndërkombëtare.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është të mbështesë Qeverinë Shqiptare në krijimin dhe zbatimin e politikave dhe masave mbështetëse për NVM-të, për të zbutur ndikimin negativ ekonomik të COVID-19. Masat konkrete, të mbështetura përmes këtij projekti, do të synojnë digjitalizimin e NVM-ve si një mjet efektiv për përshtatjen dhe rikuperimin e krizës pandemike.
Informacioni i përditësuar, mbi thirrje të ndryshme për aplikime nga NVM-të shqiptare, do të mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, AIDA ( www.aida.gov.al ), si përfituese direkte e mbështetjes nga BERZH në këtë projekt.
Sipas njoftimit ndërtimi i platformës Akses në Financë është bërë i mundur me rekomandimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si dhe mbështetjen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.