Kryeministri Rama njofton garancinë e dytë sovrane: 150 mln dollarë për të gjitha bizneset
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar në ditën e sotme një bashkëbisedim me gazetarët nëpërmjet video-konferencës, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre.
Një çështje me mjaft interes ishte edhe procesi i Garancisë Sovrane dhe njoftimi i kryeministrit se në qershor do të vijë edhe një garanci e dytë në shumën 150 mln dollarë për bizneset.
Fillimisht kryeministri komentoi se nga garancia e parë janë alokuar 22 milionë euro për bizneset, ndërkohë që po shqyrtohen edhe shumë aplikime të tjera nga bankat. Ndërkohë para pak ditësh, qeveria mori përsipër vendimin që përveç pagesës së principalit për tre muajt e parë, të marrë përsipër edhe normën e interesit të kredisë për bizneset që kanë përfituar.
Garancia e parë sovrane është përdorur për të mbuluar pagat e punonjësve deri në tre muaj, sipas kryeministrit ndërsa e dyta përveç pagave do përdoret edhe për investimet e një biznesi. Më tej shefi i qeverisë shpjegoi procesin për vënien në jetë të instrumentit të dytë:
“Ne jemi të vetëdijshëm që duhet një shtysë e fortë për ekonominë dhe jemi duke punuar për një plan të përgjithshëm të rimëkëmbje që bazën e ka në atë që ishte plani së bashku me rindërtimin, por tashmë kërkon një rishikim të plotë pasi kushtet kanë ndryshuar si pasojë e pandemisë. Shumë shpejt do të kemi masterplanin e rimëkëmbjes. jemi të bindur se do e kalojmë me sukses dhe shumë më shpejt se nga sa parashikohet për situatën rëndë të ekonomisë që shkaktoi COVID. Në 2021 do të shohim hapa konkret”, tha Rama.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.