Kryetar i Komisionit të Ekonomisë? Ahmetaj: S’do lë instrument pa përdorur në favor të valës së dytë të reformave. Me ministren e re, në harmoni
Në daljen e tij për mediat, ministri i Financave në detyrë Arben Ahmetaj i është përgjigjur edhe pyetjes se cila do të jetë e ardhmja e tij pas largimit nga posti ministror. Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares së SCAN Elisabeta Dosku nëse Ahmetaj do të marrë kryesimin e komisionit të ekonomisë, ai tha se do të vijojë të ushtrojë detyrën e tij në mbështetje të reformave me çdo instrument.
“E ardhmja ime nuk është shqetësim sot për qytetarët. Unë jam deputet, pra pas datës 21 do të jem deputet i Kuvendit dhe do të bëj atë që kam bërë si deputet në vazhdim. Dhe të qenit ministër apo deputet nuk të bën më shumë apo më pak reformator, thjeshtë që një pozicion ka disa instrumenta në dorë, pozicioni tjetër ka diçka në dorë. Të jesh i bindur që nuk do të lë instrument pa përdorur në favor të valës së dytë të reformave të qeverisë “Rama”. Kjo është e sigurtë. Nuk do të pushoj asnjë ditë pa përdorur instrumentat e mi si deputet në Kuvendin e Shqipërisë në favor të reformave që ndërmerr kryeministri Rama” tha Ahmetaj.
E sa i përket porosive për pasardhësen e nominuar, Ahmetaj tha se ka pasur kontakte me të dhe se “jemi goxha në harmoni të sfidave që ka ministria e ekonomia dhe një kuptueshmëri shumë të plotë”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.