Kufizime të reja në pikën e kalimit kufitar Bozhaj/Hani i Hotit – Policia e Shtetit jep detajet
Policia e Shtetit ka bërë me dije se autoritetet e Policisë Malazeze, në bazë të një njoftimi zyrtar që i kanë dërguar Pikës së Kalimit Kufitar Bozhaj/Hani i Hotit, kanë sqaruar se në kuadër të kufizimeve të reja për shkak të pandemisë COVID-19, deri ditën e hënë, datë 23.11.2020, do të lejohen të hyjnë në Malin e Zi, vetëm personat me leje qëndrimi, me leje pune, ata të cilët kalojnë tranzit në territorin malazez dhe ata që udhëtojnë drejt Aeroportit të Podgoricës (të cilët duhet të jenë të pajisur me prenotimet e biletave).
Sipas njoftimit nga Muriqani në drejtim të Malit të Zi, lejohet të kalojnë edhe ata persona të cilët kanë prenotuar hotelet për fundjavën në Mal të Zi ndërsa nuk ka ndryshime, për sa i takon lëvizjes së mjeteve të transportit dhe të regjimit tregtar.
Në njoftim shkruhet se këto kufizime janë të vlefshme edhe për Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan dhe Bashkim. Në Pikën Bashkim Vermosh, lejohen vetëm shtetasit shqiptarë të cilët duan të dalin nga Mali i Zi, në drejtim të Shqipërisë.
Policia Kufitare Shkodër, iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët nuk bëjnë përjashtim nga këto kufizime, të shmangin udhëtimin në drejtim të këtyre Pikave të Kalimit Kufitar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.