Kursi i këmbimit, dollari zhvlerësohet ndjeshëm ndaj lekut – Nuk ka luhatje për euron dhe stërlinën

Tregu vendas i këmbimit valutor në mesjavë ka regjistruar një luhatje të ndjeshme të vlerës së dollarit amerikan në raport me lekun. Valuta e SHBA u zhvlerësua me plot 1.3 lekë për njësi krahasuar me nivelin e ditës së hënë.
Tashmë dollari këmbehet për 108.2 lekë në blerje dhe 109.2 lekë në shitje. Kjo ka fshirë të gjithë fitimin e valutës nga ngjitja e fillimit të muajit Gusht, kur arriti deri në 111 lekë për njësi. Ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë komentet e presidentit Trump mbi politikën monetare, si dhe pritja e negociatave tregtare SHBA-Kinë.
Një fitues nga kjo rënie e dollarit ishte euro, por kjo rritje nuk është pasqyruar në tregun vendas, ku valuta europiane mbetet e fiksuar në kuotën e 125.2 lekëve. Po ashtu pa ndryshim paraqitet edhe paundi britanik, i cili qëndron prej disa ditësh në nivelin e 139.5 lekëve në blerje dhe 140.5 lekëve në shitje.
Ndërkohë, valutat e tjera në treg kanë regjistruar një zhvlerësim në raport me lekun, çka tregon për forcimin e mëtejshëm të valutës kombëtare. Dollari australian ra me 0.5 lekë për njësi, dollari kanadez u ul me 0.4 lekë për njësi, ndërsa franga zvicerane humbi plot 0.3 lekë për njësi.
Me interes ditët e fundit po shihet edhe ecuria e vlerës në tregun valutor të lirës turke. Në vendin tonë ajo vazhdon zbritjen, ndërsa kursi tashmë pozicionohet në vlerat e 17.9 lekëve për njësi.
EUR/ALL 125.20 -126.00
USD/ALL 108.20 -109.20
GBP/ALL 139.50 – 140.50
AUD/ALL 79.20 – 80.00
CAD/ALL 82.90 – 83.60
CHF/ALL 109.70 – 110.50
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.