Kursi i këmbimit, euro drejt normalizimit – Dollari amerikan në krizë prej konkurrencës në tregje

Tregu i këmbimit valutor ditën e premte ka sinjalizuar ecurinë pozitive të euros drejt normalizimit në vlerë kundrejt lekut. Pas festave të fundvitit, që së bashku me prurjen e remitancave dhe rritjen e konsumit e dobësuan valutën në nivele poshtë 132 lekëve, tashmë monedha e përbashkët europiane vijon të rritet ditë pas dite.
Sot, një euro shitet për 133.1 lekë dhe blihet me 133.8 lekë, një ngritje prej 0.4 pikësh ndaj monedhës vendase krahasuar me ditën e enjte.
Por forcimi i euros në tregun shqiptar vjen edhe si rezultat i performancës së valutës në tregjet ndërkombëtare, ku gjatë të premtes preku nivelin më të lartë të katër muajve të fundit.
E humbur në këtë mes ka qenë valuta e Shteteve të Bashkuara, e cila po vuan nga konkurrenca me euron. Fakti që politika monetare e BQE për vitin 2018 ende nuk është e ditur, i ka shtyrë investitorët të rendin drejt euros, duke braktisur dollarin.
Kjo është pasqyruar edhe në tregun vendas, ku dollari duket se ka ngecur në nivelin e 110.3 lekëve, më i ulët madje se gjatë periudhës së fundvitit.
Ndërkohë, paundi britanik ka shënuar një rritje prej 0.5 pikësh ndaj lekut, ndërsa një ngritje të lehtë me 0.3 pikë ka regjistruar edhe franga zvicerane. Sa i takon valutave të tjera kryesore, dollari australian ka rënë me vetëm 0.1 lekë, ndërsa dollari kanadez ruan të njëjtin kurs këmbimi të një dite më parë.
Valuta | Shitet | Blihet |
EUR/ALL | 133.10 | 133.80 |
USD/ALL | 110.30 | 111.20 |
GBP/ALL | 149.50 | 150.30 |
AUD/ALL | 86.40 | 87.30 |
CAD/ALL | 88.00 | 89.00 |
CHF/ALL | 112.80 | 113.50 |
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.