“Kursim energjie nga termoizolimi” – Dobjani: Reduktohen faturat dhe rritet cilësia e jetesës, duhet mbështetje financiare nga bashkitë
Aplikimi i masave të eficencës së energjisë është një nga format më të mira për të kursyer energjinë, si dhe për të rritur cilësinë e jetesës në ambientet e brendshme të godinave. Arkitektja dhe audituesja e energjisë, Etleva Dobjani thotë për TV SCAN se janë një sërë masash që mund të merren në këtë drejtim, teksa një prej tyre është edhe termoizolimi.
Dobjani thotë se koha e kthimit të investimit në termoizolim është relativisht e shkurtër, për shkak të reduktimit të faturës për energjie elektrike apo alternative të tjera të ngrohjes, sikurse mund të jenë drutë e zjarrit.
Ekspertja sjell në vëmendje rëndësinë që kanë politikat vendore për stimulimin e këtyre investimeve. Po ashtu, Dobjani sjell në vëmendje politikat që ndiqen në vendet evropiane.
Aktualisht qeveria ka deklaruar se kërkon të rikthejë skemën e tarifimit me 2 fasha të energjisë elektrike, që nënkupton shtrenjtimin e energjisë për ata qytetarë që konsumojnë mbi 700 kwh energji në muaj. Ndërkohë që, Enti Rregullator i Energjisë e ka cilësuar këtë si një masë të aplikuar më herët që nxit kursimin e energjisë nga ana e qytetarëve, ndonëse ka argumentuar se gjatë aplikimit të saj në periudhën 2008-2014 nuk pati rezultat.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.