Lëvizjet e tregut ajror/ Numri i pasagjerëve “rikuperohet” nga pandemia në vitin 2021, por më pak se 2019!

Viti 2021 shënoi një rritje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve që udhëtuan përmes aeroportit “Nënë Tereza”, në raport me vitin 2020 që ishte një vit pandemik. Megjithatë, të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Aviacionit Civil tregojnë se në krahasim me vitin 2019, numri i pasagjerëve është më i ulët. Më konkretisht, numri i udhëtarëve për fluturime hyrëse dhe dalëse në këtë aeroport për periudhën janar-dhjetor 2021 ishte rreth 2.92 mln, apo 1.62 mln udhëtarë më tepër se vitin 2020, ku përmes aeroportit “Nënë Tereza” udhëtuan rreth 1.3 mln pasagjerë.
Ndërkaq, në raport me vitin 2019, që nuk ishte një vit pandemik, numri i udhëtarëve ka një rënie me 410 mijë pasagjerë. Kjo situatë reflekton vijimin e aplikimit të masave kufizuese, që disa shtete aplikuan edhe gjatë vitit që lamë pas, pavarëisht reduktimit të ndjeshëm të tyre. Ndërkaq, sa i takon ndarjes së tregut ajror për vitin 2021, ai u zotërua në masën 41.62% nga kompani “Wizz Air”, që ka pësuar një rritje të ndjeshme në raport me vitin 2020 kur dominonte 24% të tregut të pasagjerëve.
Në vend të dytë për vitin 2021 renditet “Air Albania”, me 11.56% të tregut, ndjekur nga Albawings me 7.11% të tregut. Kompania “Air Albania” ka regjistruar një rënie të zotërimit të tregut, me rreth 2% në raport me vitin 2020, ndërkohë që Albawings” është ‘tkurrur” me rreth 3%. Industria e aviacionit ishte ndër sektorët më të goditur nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, teksa sipas parashikimeve të Eurocontrol për rikuperimin e sektorit të aviacionit civil për 6-vjeçarin, merren në konsideratë 3 skenarë të ndryshëm. Pjesë e parashikimeve është edhe Shqipëria, ku sipas Eurocontrol në skenarin e ulët rritja për vitin 2022 do të jetë në masën 19%, në skenarin bazë 40% dhe në skenarin e lartë, 48%.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.