Ligj i ri për SME-të – Si kategorizohen dhe çfarë grantesh përfitojnë nga buxheti!
Qeveria ka hartuar një projektligj që synon të përcaktojë përkufizimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të përdorur në politikat shtetërore për t’i mbështetur ato, si dhe përcaktimin e politikave në ndihmë të tyre. Ndërkohë drafti i ri shfuqizon ligjin aktual për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Kështu sipas projektligjit të miratuar nga qeveria ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, janë ato njësi që janë regjistruar në QKB prej jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) muajsh, në të cilat organet publike, direkt ose indirekt nuk mund të zotërojnë më shumë se 25% të kapitalit apo të të drejtave të votës.
NMVM-të janë tërësia e ndërmarrjeve, në të cilat punësohen më pak se 250 persona dhe realizojnë një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë. Ndërmarrje e vogël konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 50 persona të punësuar, e cila bilanc total vjetor jo më të madh se 50 milionë lekë. Mikrondërmarrjet janë me më pak se 10 persona të punësuar dhe bilanc vjetor jo më shumë se 10 milionë lekë, ndërsa ndërmarrjet e mesme janë ato 50 deri në 249 persona të punësuar dhe bilanc total vjetor nga 50 deri në 250 milionë lekë.
Sipas dokumentit, dhënia e mbështetjes shtetërore për këto njësi mund të bazohet edhe vetëm te plotësimi i kriterit të numrit të personelit. Këto njësi mbështeten nga buxheti i shtetit; nga partnerët për zhvillim vendas ose të huaj; si dhe garancitë shtetërore të huas. Për mbështetjen e tyre krijohet krijohet fondi për zhvillimin e ndërmarrjeve i cili administrohet nga AIDA dhe përdoret për për dhënien e granteve me qëllim zbatimin e programeve që synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, artizanatit, zhvillimin e të mësuarit rreth ndërmarrjes, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja si rezultat i kërkim-zhvillimit, zhvillimin e aftësive të ndërmarrjes, inovacionin, rinovimin e teknologjisë dhe mbështetjen e grave sipërmarrëse.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.