“Lufta” me të pabindurit – Raporti i policisë për 24 orët e fundit, që nga këmbësorët e deri te dyqanet
Policia e Shtetit vijon kontrollet në të gjithë vendin, në zbatim të masave kufizuese të oraret. Në total janë ndëshkuar me gjobën 10.000 lekë 154 shtetas, të cilët u konstatuan duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta pa ndonjë arsye emergjente. Nga ana tjetër, ka pasur edhe nga ata që janë shoqëruar në komisariat.
“Në të gjithë vendin, por kryesisht në Tiranë, janë shoqëruar 41 shtetas në ambientet e komisariateve, pasi nuk respektuan oraret kufizuese dhe nuk iu bindën urdhrit të Policisë për t’u futur në banesa, të cilët në përfundim të veprimeve janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë” shkruan Policia në njoftimin e bërë.
Ndërkohë, dy shtetas janë arrestuar në flagrancë; njëri për shkak të kundërshtimit me dhunë të Policisë, e ndërsa një tjetër pasi gjatë kontrollit fizik i janë gjetur lëndë narkotike.
“Po gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 129 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti” shton më tej Policia.
Përsa i përket subjekteve të tregtisë, Policia e Shtetit ka konstatuar 17 të tilla në të gjithë vendin, të cilat nuk kanë respektuar orarin e mbylljes në orën 13:00.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.