Luhatjet e “parave” tek shëndetësia – Përgjysmohet buxheti për ish të përndjekurit, rritet për ndihmën ekonomike

Buxheti për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale do të rritet me rreth 748 milionë lekë gjatë vitit që vjen. Rritje kjo që i atribuohet faktit se kësaj ministrie i janë bashkëngjitur edhe ndihma ekonomike dhe rintegrimi i ish të përndjekurve politikë.
Gjatë vitit 2019, buxheti për këtë ministri do të jetë 60.8 miliardë lekë. Në një analizë më të detajuar të buxhetit për vitin 2019 për këtë ministri, ajo që bie në sy janë luhatjet që kanë zërat respektivë.
Kështu gjatë 2019 do të ketë përgjysmim të fondit për riintegrimin e ish të përndjekurve politikë. Ndërkohë që do të ketë një rritje të buxhetit për kujdesin social.
Ndryshe nga viti 2018, në vitin që vjen do të përdoren rreth 1.7 miliardë lekë më shumë për njerëzit në nevojë. Ulje të lehtë të buxhetit do të pësojnë zërat që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shëndetësinë, siç janë kujdesi parësor dhe shërbimi i urgjencës.
Ndërsa një rritje të lehët të buxhetit do të ketë kujdesi shëndetësor dytësor dhe shërbimet e shëndetit publik. Fondi konkret i rritur vetëm për shëndetësinë është rreth 51 milionë lekë më shumë se një vit më parë.
Ndërkohë që rritja tjetër e buxhetit do të shkojë për ndihmën ekonomike. Një ulje të buxhetit do të ketë edhe për menaxhimin dhe administrimin, duke qenë se për vitin 2019 numri i punonjësve në varësi të kësaj ministrie do të pakësohet me 30 persona.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.