Majlinda Bregu: Negociatat me BE nuk favorizojnë qeverinë – Opozita duhet të shprehet qartë pro BE. Qeveria të zbatojë reformat e brendshme
Dokumenti i botuar nga Komisioni Europian mbi situatën e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit ka marrë jo pak vëmendje në qarqet politike dhe ekonomike shqiptare.
E ftuar në emisionin “Argument” me Enio Civicin, Majlinda Bregu, ka bërë thirrje për një pozicionim të qartë të Partisë Demokratike në qëndrimin pro hapjes së negociatave.
“Ajo çka mund të bëjë sot kryetari i PD, është të qartësojë njëherë e mirë pozicionin e tij. Ka bërë një shprehje para disa ditësh me një qëndrim në faqen e facebook-ut, një javë pasi doli dokumenti i Bashkimit Europian, por ka të bëjë shumë gjuha, qëndrimi. Sot për sot vendi ka nevojë të domosdoshme që të ketë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave. E përsëris është për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për interesin më të madh në të mirë të opozitës shqiptare”.
Bregu ka përmendur rastin e Gruevskit për të përforcuar argumentin se mos hapja e negociatave nuk përkthehet medoemos në më pak vota për qeverinë.
“Është në interesin kryesor të Shqipërisë, të shqiptarëve dhe të opozitës shqiptare, në kushtet në të cilat është sot çelja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ju jap vetëm një rast për të sqaruar, Gruevski në Maqedoni, pavarësisht se nuk iu hapën asnjëherë negociatat nuk rezultoi të kishte ndonjë një gjobë në pjesën e të marrin pushtet, mori tre herë pushtetin, pra nuk është se e ndali njeri pushtetin e tij pse BE vendosi të mos çelte negociatat me vendin e tij, që do të thotë që e nuk është garanci edhe për tezën që Partia Demokratike përdor sot e kësaj dite, për qeverinë e lidhur me krimin apo edhe autokracinë nga kryeministri, nuk është garanci se mosçelja e negociatave do ta penalizojë qeverinë. Sikurse jam e bindur nga ana tjetër se çelja e negociatave nuk i jep asnjë votë qeverisë.
Lidhur me rolin e qeverisë shqiptare në vendimin që do të duhet të marrë Këshilli Europës për hapjen e negociatave me vendin tonë, Bregu ka cilësuar realizimin e reformave të brendshme si detyra parësore e ekzekutivit.
Kjo qeveri duhet të bëjë sa duhet për zbatimin e reformave dhe rezultatet e tyre së brendshmi, pjesa diplomatike pastaj. Për ti bindur anëtarët e Bashkimit Europian, vendet anëtare janë prezentë të gjitha në Shqipëri, binden dhe krijojnë opinionin e tyre fare kollaj. Kjo nuk është vetëm bindje personale”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.