Mallrat e akcizës, 3 mujori: 654 milionë lekë më shumë se 2016
Të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë muajve të fillimvitit kanë qenë më të larta se plani dhe se një vit më parë.
Kështu referuar statistikave zyrtare të Ministrisë së Financave, rezulton se të ardhurat nga akciza janë realizuar në vlerën 9.2 miliard lekë, 7.6% ose 654 milionë lekë më shumë se 3 mujori i vitit 2016, dhe 5.6% ose 486 milion lekë më shumë se plani.
Sipas analizës së ekspertëve të këtij dikasteri, ndikim kryesor ka pasur importi dhe prodhimi vendas i karburanteve që rezultoi rreth 116 mijë ton, me një rritje prej 4600 ton ose + 4.1% krahasuar me 3 mujorin e vitit 2016.
Gjithashtu rritje kanë shënuar, importi i gazit të lëngët me 13%, importi dhe prodhimi i birrës me 12%, importi i pijeve energjike me 42%, importi dhe prodhimi i verës me 5.5%.
Importi i cigareve dhe kafes ka ruajtur afërsisht nivelin e Janar-Mars 2016, ndërkohë që është rritur deklarimi i prodhimit vendas të duhanit me rreth 50%.
Por duke parë këto vlera mund të analizojnë dy anë të ekonomisë shqiptare.
E para duke parë rritjen e importit të mallrave mund të ketë ndikuar rritja e konsumit, dhe e dyta aksioni ndaj informalitetit mund të ketë ndikuar në uljen e evazionit dhe kontrabandës në këtë sektor.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.