Kina ofron fond për kulturën – 3 milionë dollarë për Teatrin Kombëtar

Kina akordon për vendin tonë një grand, me vlerë 20 milion yuan kinezë ose 3 milionë dollarë, për dhurimin e pajisjeve për Teatrin Kombëtar dhe të Baletit, Ansamblin Popullor, si dhe për projekte të tjera.
Ministria e Ekonomisë, Milva Ekonomi, pas nënshkrimit të marrëveshjes me ambasadoren e Kinës në Shqipëri, Jiang Yu, theksoi se, bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, do të konsolidohet më tej dhe se brenda gjashtëmujorit të dytë do të ketë një takim të Komisionit të Përbashkët Shqipëri-Kinë “për bashkëpunimin ekonomik”.
Ndërsa ambasadorja e Kinës, tha se niveli i bashkëpunimit tashmë është në një nivel më të lartë, duke shprehur angazhimin për forcimin e komunikimeve dhe koordinimin mes dy qeverive dhe sipërmarrjeve të dy vendeve.
“Të diskutojmë me njëri-tjetrin rrugën e re të bashkëpunimeve, në mënyrë që bashkëpunimet praktike konkrete të rezultojnë me më shumë fryte konkrete”.
Kjo marrëveshje pason marrëveshjen e grantit të nënshkruar nga Ministria e Kulturës më 9 maj, ku qeveria kineze akordon 10 mln yuan, për rehabilitimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Marrëdhëniet tregtare me Kinën kanë njohur një trend rritës vitet e fundit. Volumi Tregtar me Kinën në vitin 2016, në krahasim me vitin 2015, paraqitet me një rritje në masën 11.23%, si rezultat i rritjes së eksporteve në masën 15% dhe importeve në masën 10.76%.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.