Marrëveshjet hidrokarbure – Urdhri i Gjiknurit: Hapen aplikimet për 3 vendburime ekzistuese
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur procedurën e aplikimeve për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure për 3 vendburime ekzistuese. Gara është e hapur për vendburimet “Cakran-Mollaj”, “Gorisht-Kocul” dhe Amonicë, dhe përfshin kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve.
Gjithçka përcaktohet në një urdhër që mban datën 6 shkurt 2018, të firmosur nga minsitri Damian Gjiknuri, i cili saktëson se afati i dorëzimit të aplikimit, nga subjektet e interesuara është data 31 mars 2018.Paralelisht me urdhrin e ministrit, pritet që kompania Albpetrol të publikojë në faqen e saj të internetit hartën për këto vendburime si dhe formularin e aplikimit.
Po ashtu, kompania shtetërore autorizohet të ngrejë grupin negociator për Termat dhe Kushtet Kryesore të Marrëveshjeve Hidrokarbure, te mundshme, për t’u lidhur. Urdhri i ministrit vjen në një kohë kur nga dikasteri që ai drejton është paralajmëruar një reformë e thellë në drejtim të marrëveshjeve hidrokarbure dhe legjislacionit aktual në këtë drejtim. Referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore aktualisht, blloqet e lira të kërkimit janë 13, nga të cilat 12 në tokë dhe blloku i Rodonit që ndodhet në det.
Më herët ky dikaster i tha TV SCAN se kushdo që kërkon të investojë në Shqipëri është i mirëpritur të aplikojë për këto blloqe kërkimi, pasi vendi ynë është duke ndjekur politikën e “derës së hapur”.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.