Mbahet Forumi Shqipëri – Turqi, rritet bashkëpunimi mes bizneseve. Marrin pjesë 22 kompani turke
Pas forumit të zhvilluar pak ditë më parë Shqipëri – Hungari, në Tiranë është mbajtur një tjetër forum i ngjashëm mes Shqipërisë dhe Turqisë, ku pjesëmarrëse ishin 22 kompani turke.
Forumi Shqipëri – Turqi u organizua nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), në bashkëpunim me Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhomën Turke të Tregtisë në Izmir dhe Ministrinë Turke të Ekonomisë.
Përfaqësuesit e AIDA-s në forum bënë një prezantim të mundësive që ofron Shqipëria për investime të huaja, duke u ndalur edhe në rolin dhe asistencën e institucionit.
“Gjatë forumit u zhvilluan takime biznesi B2B ndërmjet 22 kompanive pjesëmarrëse turke dhe kompanive shqiptare që i përkasin dy sektorëve të mëdhenj, siç janë sektori i IT-së dhe ai i pajisjeve mjekësore”, thuhet në një njoftim.
Qëllimi i organizimit të këtij forumi është promovimi i prodhimit tregtar në sektorët respektivë, zgjerimit të eksporteve dhe zhvillimi i partneriteteve të biznesit.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.