Mbështetja në Agrobiznes, BERZH projekte me vlerë 180 mln euro – Ministria e Bujqësisë: Përgatitni siç duhet dokumentet për aplikim
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) zhvillon sot një konferencë, e cila ka në fokus diskutimin rreth praktikave më të mira ndërkombëtare në “Agrobiznes’.
I pranishëm në konferencë, Matteo Colangeli, drejtor i zyrës së BERZH në Shqipëri tha se:
“BERZH ka paraqitur projekte me vlerë 180 milionë euro, në një periudhë tre vjeçare, ndërkohë që kemi vetëm katër banka që do mbështesin. Sot kemi rreth 100 kredi të dhëna për sektorin e agrobiznesit për rreth 90 mln euro investim. Po firmosim për një çek me bankat për kreditimin e këtyre bizneseve. Qeveria shqiptare vë në dispozicion një fond garancie në vlerën 20 për qind. Në këtë mënyrë, bankat vendosen në konkurrencë për t’i dhënë kredi agrobiznesit.”
Përfaqësuesja e Ministrisë së Bujqësisë Lauresha Greza, gjatë kësaj konference deklaroi se:
“Duhet që bizneset të jenë të përgatitur me një dokumentacion të qartë. Ftojmë bizneset të përfitojnë sa më shume nga këto projekte”.
Më tej ekspertët e BERZH dhanë më shumë detaje rreth projekteve. “Mbështetim një sektor vital dhe që ka potencial të pashfrytëzuar, si kontribuues me peshë në PBB. Të bëhen të disponueshme burimet financiare, të ngrihen kapacitetet në bankat financuese apo institucionet e tjera financiare. Ka një hendek mes nevojave dhe mjeteve për financim, ndaj ky program plotëson këtë hendek. BERZH merr përsipër riskun, i cili bazohet në kredinë e dhënë nga institucioni financiar ndaj biznesit shqiptar. Mbulimi i riskut të kredive do të kryhet nga një fond i posaçëm që do të jepet prej Qeverisë së Shqipërisë”.
Konferenca ka mbledhur në Tiranë, biznese, këshilltarë lokalë dhe ndërkombëtarë në një sërë fushash ekspertize.
Me financim nga Bashkimi Europian, ky event është pjesë e paketës mbështetëse që BERZH jep për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), duke ofruar mjete të integruara të financimit të drejtpërdrejtë, financimin nëpërmjet institucioneve financiare partnere, këshillave të biznesit dhe dialogut politik.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.