Mbi 91 mijë borxhlinj të ujit të pijshëm 6 mujori/ 4.9 mld lekë detyrime nga UKT-së, Prilli muaji më problematik
Numri i klientëve që nuk paguajnë me korrektësi faturat e ujit të pijshëm në kryeqytet vijon të mbetet shqetësues. Sipas të dhënave zyratare të Ujësjellës Kanalizime Tiranë të zbardhura nga TV SCAN, në gjysmën e parë të vitit, regjistrohen në total afro 91.600 klientë debitorë, ku klientët familjarë janë ata që i shmangen apo neglizhojnë më së shumti pagesat në kohë, duke u regjistruar në një shifër prej 75.348.
Megjithatë edhe pse në numër më të ulët, në listën e debitorëve nuk mungojnë as bizneset private me mbi 15.598 apo institucionet shtetërore me rreth 635. Dhe ajo që vihet re është se shifra ka pësuar rritje gjatë muajit Prill si pasojë e masave të marra ndaj COVID-19, ku shumë klientë e kanë pasur të pamundur të paguajnë faturat në kohë, por edhe për shkak të efekteve në financiat e tyre.
Vlera totale e borxhit të krijuar për ujin e pijshëm ndaj Ujësjellës Kanalizime Tiranë, në gjysmën e parë të vitit arrin në rreth 4.9 miliardë lekë, ku 3.9 miliradë lekë i takojnë vetëm klientëve familjarë. Duhet theksuar se sistemi i kategorizon automatikisht si debitorë edhe klientët që nuk paguajnë në datën e caktuar detyrimet për ujin e pijshëm. Kryesisht, më problem janë konsumatorët në ish komuna që me reformën administrative-territoriale u janë bashkuar Tiranës.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.