Mblidhet Komiteti Teknik i menaxhimit të Financave Publike
Në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u organizua takimi i 10 të Komitetit Teknik të Menaxhimit të Financave Publike, që u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i MFE-së, Arlind Gjokuta. Në takim morën pjesë Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali, përfaqësues nga Kryeministria, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Agjencia e Prokurimit Publik, Komisioni i Prokurimit Publik, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, INSTAT, Departamenti i i Administratës Publike, si edhe nga njësitë brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
“Gjatë këtij takimi u diskutua mbi draft-Raportin e Monitorimit për vitin 2021 të Strategjisë së MFP-së 2019-2022. Krizat të cilat goditën vendin tonë, tërmeti i nëntorit të vitit 2019 dhe pandemia Covid-19 vështirësuan arritjen e disa nga objektivave të strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike, efektet e të cilave vijuan edhe gjatë vitit 2021.
Pjesëmarrësit në këtë takim prezantuan arritjet kryesore gjatë vitit 2021 si: ulja e raportit të borxhit publik ndaj PBB në krahasim me vitin 2020; përmirësimi dhe rritja e të ardhurave nga tatimet dhe doganat; ulja e detyrimeve të prapambetura; forcimi i planifikimit strategjik dhe menaxhimi i buxhetit në nivel lokal; përfshirja më të madhe të shoqërisë civile; përmirësimi i kuadrit ligjor në fusha të ndryshme; krijimi i një sistemi më të fortë të menaxhimit financiar dhe mjedisit të kontrollit të brendshëm; rritja e zbatimit të rekomandimeve të KLSH” njofton Ministria e Financave.
Në diskutimet nga pjesëmarrësit rezultoi se ka fusha të cilat kërkojnë angazhim dhe vëmendje më të shtuar për të arritur në nivelet e duhura, ndaj dhe MFE, në bashkëpunim me njësitë përgjegjëse do të rrisë përpjekjet për adresimin dhe realizimin e tyre.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.