Mbrojtja nga Zjarri dhe Shpëtimi – Në Tiranë 533 raste zjarri në 6 muaj

Repartet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në Tiranë kanë ndërhyrë në 533 raste zjarri në gjysmën e parë të vitit 2017. Shtuar këtyre edhe 401 operacionet e shpëtimit, forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për një total prej 934 herëve në 181 ditë.
Gjatë periudhës Janar-Qershor, të dhënat e publikuara në portalin e Bashkisë së Tiranës, tregojnë se ka patur vetëm 24 të lënduar dhe 2 persona të cilët kanë humbur jetën.
Në veprimtarinë e kësaj drejtorie përfshihen edhe Akt kontrollet e inspektimet në objekte ku ushtrohet aktivitet privat, por edhe në godina banimi. Shumica e këtyre inspektimeve është përqendruar në objektet ku ushtrohen aktivitete shërbimi, dyqane, salla dhe magazina; por edhe në shkolla, kopshte e çerdhe.
Nga kontrollet u është dhënë miratimi si objekte të sigurta në raste emergjence 58 objekteve, dhe vetëm 5 subjekte janë gjobitur për mospërmbushje të kushteve të sigurisë. Kurse subjektet të cilat kanë ripërtëritur certifikatën e mbrojtjes nga zjarri janë 426.
Sa i takon alarmeve false, DMZSH ka konstatuar vetëm 9 të tilla gjatë 6 muajve të parë të vitit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.