Më pak lindje e vdekje gjatë 2018-ës – Instat: Ulet edhe numri i vdekjeve, 10 nga 12 qarqet e vendit pësojnë rënie
Numri i lindjeve gjatë vitit 2018 është ulur ndjeshëm me 6.3% krahasuar me një vit më parë. Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, gjatë vitit të kaluar kanë lindur 28 934 foshnje. Ndërkohë, në rënie është evidentuar edhe numri i vdekjeve gjatë 12 muajve të një viti më parë, ku në total kanë vdekur 21 804 persona, 1.9% më pak se krahasuar me vitin 2017.
Sa i takon shtesës natyrore të popullsisë, sipas Instat ky tregues në 2018 është 7 130 dhe rezulton me rënie 17.4% krahasuar me një vit më parë. Qarku i Gjirokastrës ka rezultuar me vlerë negative të shtesës natyrore të popullsisë gjatë 2018-ës, ku sipas statistikave vjetore numri i vdekjeve kalon me 217 numrin e lindjeve.
Ndërkohë, sa i takon numrit të lindjeve, të gjitha qarqet kanë pësuar një rënie të numrit në krahasim me vitin 2017. Rënien më të madhe në përqindje për 2018-ën e ka regjistruar Qarku i Korçës me 16.5%, ndjekur nga ai i Fierit dhe Vlorës respektivisht me 12.6% dhe 12.5% dhe qarku i Beratit me 10.2%.
Burimi: Instat
Tashmë që prej datës 1 janar ka hyrë në fuqi edhe vendimi i qeverisë, i cili përcakton se të gjitha nënat e fëmijëve të porsalindur do të përfitojnë bonusin e bebes, i cili është 40 mijë lekë për lindjen e fëmijës së parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë e në vijim.
Nga ana tjetër, shifrat janë evidentuar në rënie sa i takon numrit të vdekjeve. Përveç qarkut të Durrësit dhe atij të Vlorës, ku numri i vdekjeve është rritur respektivisht me 6.1% dhe 2.4%, Instat raporton se në të gjitha qarqet e tjera të vendit numri i vdekjeve ka pësuar rënie në 2018-ën.
Burimi: Instat
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.