Mësuesit në testim gjatë muajit korrik – AKP: Dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët. Rregullat dhe tarifat që duhen shlyer

Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet gjatë tre javëve të para të muajit korri. Kështu thuhen në një njoftim të publikuar së fundmi nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, ku janë specifikuar dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët pjesëmarrës, si dhe është bërë publik vendi ku do të zhvillohet provimi.
“Për të gjithë kandidatët aplikantë për provimet e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit, ju bëjmë me dije sa më poshtë: Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet gjatë tre javëve të para të muajit korrik. Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (më poshtë QSHA) me adresë: Rruga: “Naim Frashëri”, Nr. 37, Tiranë, ndërkohë që kandidatët duhet të paraqitet në QSHA 30 min. para fillimit të provimit të shtetit”, thuhet në njoftimin e AKP-së.
Dokumentet që duhet të kenë pjesëmarrësit
Të gjithë kandidatët që do të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e mësuesit duhet të jenë të pajisur me këto dokumente:
-Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal);
-Kopje të Kartë ID ose Pasaportë;
-Në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim;
-Faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë e nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes; {Vëmendje: fatura të ketë vulën e bankës përkatëse};
-Kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. {Kandidatët, të cilët nuk janë pajisur me Diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga Universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi).
“QSHA -ja nuk do të mundësojë kandidatët të cilëve u mungojnë këto dokumente, të marrin pjesë në provimin e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit. Mbështetur në ligjin nr. 10171, datë 22.10.2009, neni 7, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe nenin 4 pika 6 të Rregullores, “Për organizimin e provimeve të shtetit për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 82, datë 22.02.2011, e ndryshuar, kandidatët që regjistrohen për provimin e shtetit, duhet të jenë të pajisur me diplomat e ciklit të parë dhe të dytë të studimit, të lëshuar nga IAL-të përkatëse”, thuhet nën njoftimin e AKP-së
Rregullat që duhet të ndjekin kandidatët
Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme:
-Ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter s ‘kualifikimi;
-Ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit;
-Ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.
“Për të gjithë kandidatët, lutemi të verifikoni emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit në faqen zyrtare të QSHA në adresën www.akp.gov.al, rubrika lista e kandidatëve. Në rast pasaktësie në të dhënat e paraqitura në web, lutemi të kontaktoni në adresën [email protected] si dhe të njoftoni përpara se të hyni në ambientin e provimit”, thuhet në njoftimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.