Meta në Kosovë: Të fokusohemi tek arsimi, infrastruktura dhe heqja e burokracisë
Në vijim të vizitës shtetërore në Kosovë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u takua me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe me Kryeparlamentarin, Kadri Veseli. Presidenti Meta theksoi se duhet të intensifikohen marrëdhëniet mes dy shteteve duke u fokusuar tek infrastruktura, arsimi, lëvizja e lirë dhe heqja e çdo barriere burokratike ndërmjet dy vendeve.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta iu referua nevojës së madhe për liberalizimin sa më shpejt të regjimit të vizave nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës, duke iu referuar kushtëzimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si një sfidë tashmë të pashmangshme, shprehu besimin se kjo çështje do të gjente një zgjidhje të shpejtë në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë me këtë vend fqinj.
Ndërsa, duke vlerësuar nevojën e vazhdimin dhe përmbylljen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Meta u shpreh se vijimi dhe konkretizimi i këtij dialogu nuk është i rëndësishëm vetëm për këto dy vende por edhe për të gjithë rajonin sigurinë dhe të ardhmen e tij.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.